Kryeministri Rama ka mbajtur një fjalim në sesionin e punës të krerëve të shteteve dhe qeverive në Samitin e NATO-s që po zhvillohet në Varshavë. Ai nënvizoi se Shqipërisë i është dashur të kalojë nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë derisa u bë pjesë e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë. “Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si NATO dhe Traktati i Varshavës konsideroheshin e keqja, ndërsa sot është një anëtare krenare e Aleancës dhe kjo është arritje madhore e vendit tim”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e të gjitha angazhimeve e detyrimeve të saj buxhetore si anëtare e NATO-s. Sikundër ajo qëndron fort krah Aleancës në përmbushjen e misionit të saj. Samiti zhvillohet në një moment kur përballemi me sfida serioze të sigurisë. Sot, ekstremizmi i dhunshëm dhe islami radikal janë kërcënimi më serioz për sigurinë kolektive, çka kërkon ndërveprim dhe bashkërendim të përpjekjeve në nivel lokal dhe global. Ne mbështesim strategjinë e mbrojtjes të Aleancës dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e të gjitha përpjekjeve të NATO-s për më shumë stabilitet e siguri në hapësirën euroatlantike”.